Vargjet e para nga “Këngët e Milosaos” (varianti i shqipëruar):
Bota kish ndërruar lisa,
Uji i ri në det
Kaltëronte n’ditn’ e re
Koment:
Ideja e përmbledhur: Një faqe e re në kapitullin e lëvizjes kombëtare shqiptare, e cila duket me siguri (në bazë të rrethanave dhe të protagonistëve) që do të japë fryte.
Në leximin e parë të vargjeve nga një sy i përciptë e i pamësuar artistik nuk duket sikur ka ndonjë gjë të vështirë për të kuptuar nga vepra. Një djalë i ri, i sapokthyer në atdhe pas studimeve jashtë vendit, sheh me nostalgji se si shumë gjëra kanë ndryshuar. Megjithatë, në një kontekst më të gjerë historik, politik dhe kulturor, thellë në alegorinë dhe nëntekstin e saj, shohim diçka më tepër se sa vrulli rinor i një djali në lule të moshës, nostalgjinë e tij për atdheun, rikthimin e tij pranë gjirit të familjes, etj. pra nuk kemi të bëjmë me fenomene të kufizuara tek një individ. Tri vargje, të para në kuadrin e lëvizjes kombëtare shqiptare, mjaftojnë nga poezia për të nxjerrë mjaft interpretime.
Bota kish ndërruar lisa: Metonimi
Në këtë metonimi të përzgjedhur nga autori shprehet ideja e ndryshimit, e vazhdimësisë së jetës, gjë që heroi romantik e vë re pas kthimit nga studimet në atdheun e munguar. Por diçka sikur nuk shkon: pse pikërisht lisa dhe jo ndonjë pemë tjetër? Siç e dimë, pema e lisit dallohet për jetëgjatësinë dhe qëndresën, aq sa është kthyer edhe në simbol të këtyre tipareve në letërsinë shqipe dhe të huaj. Jetëgjatësia e një peme lisi shkon nga 80 deri në 600 vjet (shumica e varieteteve rrojnë rreth 500 vjet). Milosao ka jetuar jashtë vendit e shumta 7 vjet (duke supozuar që si një djalë i pasur nga një familje aristokrate, ai ka mbaruar edhe kolegjin, edhe universitetin jashtë vendit). Edhe sikur të pretendojmë që i gjithë arsimi i tij, duke përfshirë edhe atë fillor është kryer jashtë vendit, koha e mërgimit të tij përsëri nuk ka të krahasuar me jetëgjatësinë e pemës së zgjedhur në këtë varg metonimik. Si ka mundësi që me ardhjen e tij, ai konstatoi që “bota kish ndërruar lisa”?!
Që nga vargu i parë i poemës del në pah nënteksti i saj. Këtu nuk kemi të bëjmë me mallin e një djaloshi të ri, por me një panoramë shumë të gjerë historike e politike. Personalisht, mendoj se alegoria e këtij vargu fshihet në pushtimin 500 vjeçar osman mbi trojet shqiptare. Në periudhën kur jetoi e punoi Jeronim de Rada, atë të romantizmit shqiptar, e cila përkon dhe punon paralelisht dhe në funksion të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, periudhë kur synohej pavarësia e trojeve etnike shqiptare nga Perandoria Osmane, bashkimi i tyre në një shtet të vetëm, si dhe nxitja e ndërgjegjies kombëtare përmes emancipimit kulturor dhe arsimit në gjuhën mëmë, ishin pjekur kushtet që bënin të mundur që zëri i shqiptarëve më në fund të dëgjohej. “I sëmuri i Bosforit” nuk ishte më në gjendje të mbronte tërësinë e vet territoriale. Që nga viti 1834 kishin shpërthyer kryengritje të armatosura në të gjitha trevat shqiptare (poezia është shkruar në vitin 1836). Përplasja e interesave në arenën ndërkombëtare bënte që Fuqitë e Mëdha ta shihnin me sy të mirë egzistencën e një shteti josllav në Ballkan, si një barrierë që do të pengonte zgjerimin e influencës ruse në gadishull. Me fjalë të tjera, De Rada na shpalos në këtë varg jo një periudhë më të shkurtër se një dekadë, por një epokë pesëshekullore, që tani po i vinte fundi. Ndryshimi (i lisave) kuptohet si një ndryshim pozitiv, jo vetëm nga konteksti historik në të cilin studiohet, por edhe nga toni pozitiv dhe sublim i vargut.
Ideja e shpresës për të ardhmen haset edhe po t’i qëndrojmë besnikë interpretimit kohor fillestar (bazuar në jetën e Milosaos dhe jo në atë të lisit), ndoshta nuk kemi të bëjmë me një ndryshim qindravjeçar, por thjesht me një përmbysje stinësh. Lisat janë pemë gjetherënëse që gjelbërojnë në pranverë. Në kontekstin e “pranverës” dallojmë një periudhë ripërtëritje kulturore dhe arsimore të Shqiprëisë, një shpresë për vendin tonë, falë elitës së konsoliduar intelektuale shqiptare, e cila synonte t’ia kalonte stafetën brezit të ri, rinisë pasionante e të vrullshme shqiptare, energike dhe të gatshme për të mbrojtur atdheun, duke besuar në një ditë më të mirë, duke besuar në një “pranverë”. Filizat e rinj të lisave janë të gatshëm të ushqehen në tokën e pasur mëmë, për t’u rritur dhe për t’i shërbyer një ditë asaj.
Uji i ri në det: Epitet metaforik
Kaltëronte n’ditn e re: Metaforë (Këto dy vargje nuk mund të studiohen veç e veç, pasi kanë vijimësi logjike)
Deti është një ndër simbolet më të përdorura në literaturën e të gjitha vendeve dhe kohërave. Ai shihet si forca e natyrës, që e bën njeriun të pashpresë përballë saj, si rrezik, si portë komunikuese, etj. Nga letërsia antike, detin e hasim si element dominant në poemën “Odiseja”, të Homerit, i cili, siç kemi mësuar nga biografia e De Radës, ishte një ndër influencat më të hershme artistike të tij. Deti për Odisenë do të thoshte vuajtje e pengesë në përpjekjet për t’u kthyer në atdhe. Në vargjet e De Radës kemi të bëjmë me ujë të qetë. Edhe në këtë varg mund të pranohet pak a shumë interpretimi i vargut paraardhës. “Uji i ri” i cili “kaltëronte”, me shumë gjasë simbolizon një epokë shpresëdhënëse për mbarimin e kalvarit të vuajtjeve të popullit shqiptar. Togfjalëshi “ditë e re”, nga ana e tij, është shumë self-explanatory.
Te ky varg, unë shoh edhe një tjetër interpretim. Ky besoj se është mjaft i qartë: Milosaoja ishte kthyer në atdhe nga Selaniku. “Uji i ri” në këtë rast është deti i atdheut në krahasim me detin e huaj, jeta në vendlindje krahasuar me mërgimin.
Jo shumë larg nga ideja paraardhëse, një interpretim tjetër (ndonëse nuk jam e sigurt sa qëndron), do të ishte ky: Elita intelektuale shqiptare e vendosur në Arbëri dhe në diasporë (përtej detit), në këtë periudhë po lidhet si kurrë më parë me rrënjët e veta, duke dhënë kontribut të vyer në lëvizjen kombëtare shqiptare. (Rasti i De Radës është ai më tipik: një adoleshent i lidhur aq ngushtë me çështjen kombëtare shqiptare, ndonëse shkëputja kohore i takon një brezi shumë më të hershëm se i veti, është realisht për t’u admiruar.)